VIDEO/Tragjedia në Tepelenë, akuza zjarrëfikëses. Përshkoi 700 metra rrugë për 45 minuta

Një ditë pas zjarrit që i mori jetën nënës 35 vjecare Elda Shehut dhe foshnjës së saj 6 muajshe, duken më të qarta gjurmët që la pas tragjedia e mbrëmjes së djeshme në Tepelenë, në apartamentin e Genci Shehut. Tymi i flakëve të zjarrit ka shkuar deri në katet e sipërme të pallatit duke lënë gjurmë nëpër muret e jashtme të pallatit. Ndërsa brenda, apartamenti është i kycur nga policia për shkak të vlerësimit të provave në terren nga grupi hetimor. Komshinjtë e fatkeqes, nuk rreshtin së akuzuari zjarrëfikëset të cilat erdhën me vonesë në vendngjarje, ndonëse reparti zjarrëfikës nga objekti në fjalë, ka një largësi gati 700 metra. Ata pohojnë me plot gojë se zjarrëfikësja, ka ardhur me 45 minuta me vonesë nga momenti i lajmërimit. Nëse do të kishin ardhur në kohë, dy jetët do të kishin shpëtuar patjetër thonë komshinjtë e fatkeqes Elda Shehu. Trupi i kësaj të fundit, është tërhequr nga morgu i Spitalit mëngjesin e sotëm për ta dërguar në fshatin Bëncë, tek banesa e të atit të vet. Ngushëllimet janë pritur në banesën e babait të viktimës 35 vjecare ku vëllezërit e saj dhe familjarët, morën përsipër shpenzimet e varrimit dhe pritjen e ngushëllimeve në shtëpinë e tyre. Cifti Shehu, banonte me qera në apartamentin që u shkrumbua nga flakët në qytetin e Tepelenës në lagjen 15 Shtatori, ndërkohë që vetë e ndjera, ishte shtëpiake e papunë dhe rriste fëmijën e saj 6 muajsh. I vetmi i vetpunësuar, ishte bashkëshorti i saj Genci, i cili ka marrë një lokal me qera në Tepelenë cka ka qenë edhe i vetmi burim të ardhurash familjare. Mes dhimbjes, Genci Shehu shprehet se do të flasë për Jugunews.net pas dy ditëve pasi të vërtetojë gjithcka për atë që përflitet që zjarrëfikësja ka ardhur me vonesë. Nuk përjashtohet ndërkaq, denoncim në prokurori, ndaj zjarrëfikësve të cilët mbërritën me vonesë. Vetë Genci Shehu, momentin e tragjedisë, ka qenë në lokal dhe është lajmëruar nga komshinjtë. Ai ka ardhur por nuk ka mundur dot të shpëtojë të shoqen dhe foshnjën e tij ndonëse ka hyrë mes flakëve.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment