Video/Ultimatum Ramës për bojkot zgjedhor, nëse nuk bëhet rruga e fshatit

 

 

Banorët e fshatit Mezhgoran në rrethin e Tepelenës, kërcënojnë me bojkot zgjedhor. Ata i kanë lënë afat qeverisë shqiptare, 7 muaj plot për të ndërhyrë në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në të kundërt, verdikti i tyre ndaj procesit zgjedhor do të ketë vetëm një emër-BOJKOT. Dhe kjo do të jetë hera e dytë për ta, pasi edhe në zgjedhjet parlamentare të 2009, masivisht banorët e këtij fshati, bojkotuan procesin zgjedhor madje nuk pranuan as kutinë e votimit. Apelet drejtuar qeverisë shqiptare apo dhe pushtetit vendor, kanë rënë në vesh të shurdhër. Rruga me gjatësi prej 5 km nga aksi nacional Tepelenë-Përmet, është e pa-asfaltuar e lënë pezull 2 shekuj më parë kur themelet e kësaj rruge, u shtruan nga Ali Pashai i Tepelenës. Për banorët e këtij fshati me 500 banorë prej të cilëve 300 janë zgjedhës, jeta në këtë fshat malor, është tepër e vështirë dhe kjo, si pasojë e mungesës së rrugës, të qendrës shëndetësore, si dhe shërbimeve të tjera elementare. Madje vetëm këtë vit, tre gra shtatzëna, kanë lindur rrugës si qëmoti pikërisht për shkak të terrenit tepër të vështirë që krijonte tronditje për to gjatë transportimit me mjete private se autoambulanca, ska asnjë shank të vijë. Fshati Mezhgoran, shtrihet në pjesën juglindore të rrethit të Tepelenës, në kufi me Përmetin. Banorët mbijetojnë kryesisht me blegtori pasi me bujqësi, është e pamundur për shkak të terrenit të thyer.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment