“Hënat e fundme” titullohet premiera më e re e cila është vënë në skenë, nga aktorët e Teatrit Profesionist të Gjirokastrës. Interesi për dramën nga ana e gjirokastritëve, ka filluar të ngjallet pasi rëndom spektatorët, ishin mësuar me komedi që argëtoheshin nga batutat dhe ilaritetin që shkaktonin ato në sallë.
Por kësaj here, regjizori i Teatrit, Vasil Cuklla, ka zgjedhur të vendosë në skenë, një nga dramat që është vlerësuar nga kritika europiane, si nga më të mirat të shkruara në shekullin e kaluar.
Kjo dramë, po jepet aktualisht në Gjirokastër dhe interesi është gjithmonë e në rritje. Nën interpretimin brilant të një aktori veteran që luan rolin e babait si Viktor Çaro, së bashku me dy aktorë të rinj si Selina Dalipaj në rolin e nënës dhe në rolin e djalit të shtëpisë, Aleksandër Kondi, spektatorët kanë duartrokitur herë pas here në fund të disa episodeve.
Kjo dramë, trajton në një këndvështrim të drejtpërdrejtë, ngjarjet e ditëve të sotme në familje ku trajtimi i prindërve nga fëmijët, është i papërfillshëm dhe aspak i afërt.
Konflikti mes brezave, është një temë mjaft e ndjeshme që për regjizorin Cuklla, është i denjë për t’u trajtuar në një vepër të tillë kaq madhështore. Kjo dramë, është aktuale ku ndërthurren ndjenjat e brezit të vjetër me atë të ri shprehet regjizori gjirokastrit. Sipas tij, nëse duhet t’i japim rëndësinë e duhur artit, thelbi duhet të jetë mesazhi.