Vjosa Park Kombëtar/ Rama: Moment historik, do kërkojmë të shpallet pasuri e përbashkët me Greqinë, 80 milionë dollarë investime në dispozicion

0
73

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ishte sot në Tepelenë në ceremoninë e shpalljes zyrtarisht të Vjosës Park Kombëtar.

Gjatë fjalës së tij në event, Rama u shpreh se nga sot Shqipëria mbron përgjithmonë lumin e egër të fundit të Evropës ndërsa premtoi se sipërfaqja e zonave të mbrojtura do të rritet.

Kryeministri Rama e vlerësoi këtë akt, si një moment historik për mbrojtjen e natyrës dhe për transformimin e mendësisë lidhur me natyrën.

Ky është një moment realisht historik në përpjekjen për mbrojtjen e natyrës dhe për transformimin e mendësisë lidhur me natyrën si një hapësirë e përbashkët ku zhvillimi ekonomik, zhvillimi social dhe trashëgimia për brezat që vijnë si një stafetë e mirëqenies, mund të shihet dhe duhet të shihet krejt ndryshe nga sa rëndom jemi mësuar, duke e kërkuar tek shfrytëzimi pa kriter dhe pa karar i natyrës.

Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin tonë sepse sanksionojmë atë që kemi dëshiruar shumë qysh në krye të herës, atë për të cilën jemi zotuar kur kemi marrë mandatin për të qeverisur dhe atë që për ta bërë realitet na u desh kohë, pasi nuk është një vendim i lehtë, është një vendim i vështirë për njëmijë e një arsye, shpalljen e Vjosës “Park Kombëtar”.

Rama u shpreh se është në bashkëbisedim me autoritetet në Greqi për ta trajtuar Vjosën si pasuri e përbashkët mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Shkruaj nje koment