Vlerësime, rezerva e kritika/ Xhafaj ‘skanon’ sistemin e drejtësisë, i ‘tërheq veshin’ drejtuesve të rinj

Deputeti socialist Fatmir Xhafaj ka bërë një analizë të së gjendjes së shtetit të së drejtës, duke e ndarë atë në tre etapa: e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja., institucioneve të drejtësisë dhe raportit të tyre me qytetarët, arritjet dhe rezervat për reformën në drejtësi.

Në një intervistë për Gazetën Tema, Xhafaj teksa flet për shtetin e së drejtës në Shqipëri, shprehet se qeveria nuk ka arritur ende të garantojë pushtetin e së drejtës si vendet Perëndimor për të ofruar barazi para ligjit, drejtësi dhe funksionim eficent të sistemit të drejtësisë për qytetarët.

“Kemi bërë mjaft rrugë, por ende nuk jemi në finish-in që duhet për të parë pushtetin e drejtësisë në standardet perëndimore që garantojnë barazi para ligjit, drejtësi për qytetarët, funksionim efiçent të parimit të balancës dhe kontrollit ndërmjet pushteteve si çelësi i artë për një demokraci të konsoliduar dhe shtet të së drejtës”, shprehet Xhafaj.

Teksa flet për rezultat e reformës në drejtësi, Xhafaj nuk i kursen as kritikat për institucionet e drejtësisë. Deputeti  thotë se drejtuesit e rinj të këtyre institucioneve nuk kanë arritur qasjen e duhur ndaj problemeve të lidhura me korrupsionin, të cilat qytetarët i denoncojnë thuajse çdo ditë.

“Ti japim fund njëherë e mirë praktikave të drejtuesve të mëparshëm të drejtësisë që kalonin nga zyra në zyrë, nga dreka te darkat, nga dora në dorë, duke këmbyer vendimmarrjet e tyre me favoret personale të dhuruara prej politikës, grupeve të biznesit apo edhe krimit të organizuar. Ligji ndëshkon ashpër çdo interferencë apo ndikim të çdo forme në vendimmarrjen e tyre. Koha është tashti. E për këtë gjë, të gjithë duhet të jemi syhapur dhe të ashpër, si kusht jetik për të garantuar drejtësinë e re dhe besimin e qytetarëve te drejtësia”, thotë Xhafaj.

Pjesë nga intervista:

Rreth 5 vite pas nisjes së zbatimi të reformës në drejtësi, sot çfarë arritje duket t’i njohin shqiptarët

Pikërisht, po ju sjell disa arritje të qarta e të prekshme në këto pak vite të para të zbatimit të reformës në drejtësi.

Së pari, thelbësore është që reforma në sistemin e drejtësisë, pavarësia reale në ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të tij pas 30 vitesh, është duke sjellë gradualisht më në fund autoritetin real dhe të qartë të pushtetit të drejtësisë përballë dy pushteteve të tjera duke çuar kështu më së fundi në jetësimin e atij parimi thelbësor të sistemit demokratik të qeverisjes, balancës dhe kontrollit ndërmjet pushteteve;

Së dyti, pavarësia reale e garantuar tashmë më së fundi me kushtetutë dhe me ligj për ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë, dhe kryesorja në vendimmarrjen e gjyqtarëve apo prokurorëve në dhënien e drejtësisë, në karrierën dhe promovimin e tyre, etj;

Së treti, vetëqeverisja dhe vetëmenaxhimi i gjyqësorit

vetëmenaxhimi i gjyqësorit dhe prokurorisë përmes institucioneve tërësisht të pavarura, të përfaqësuara me shumicën e zgjedhur po prej tyre e në çdo rast jo nga politika, si dhe me përgjegjësi të plota kushtetuese e institucionale;

Së katërti, krijimi i një trupe gjyqtarësh e prokurorësh me integritet moral, etik dhe profesional përmes pastrimit të radhëve të sistemit nga procesi i vettingut;

Së pesti, ndër më të rëndësishmet, kemi shembujt e parë të goditjes së korrupsionit në nivelet e larta si sinjale të para pozitive me shpresën se mund t’i jepet goditje e fortë dhe aq e shumëpritur fenomenit të pandëshkueshmërisë korruptive për politikanët dhe zyrtarët e lartë;

Duket se kritikat, sulmet apo pakënaqësitë ndaj sistemit të ri të drejtësisë janë shtuar ndjeshëm, veçanërisht ndaj strukturave të posaçme të ngritura për hetimin dhe gjykimin e korrupsionit. Si i keni parë ju këto zhvillime?

Nuk jam i surprizuar aspak, padyshim kritikat do shtoheshin dhe ashpërsoheshin. S’kam pasur iluzione ndryshe kur e nisëm këtë proces kompleks, por përkundrazi. Kundërshtarëve të shumtë në nisje të këtij procesi kryesisht nga politika, tashmë u janë shtuar edhe të prekurit e reformës, nga radhët e vetë sistemit, individë nga politika që po ju preket pushteti e kontrolli mbi sistemin, persona të mbërthyer nga frika e ndëshkimit prej mëkateve korruptive të shumta në këto tri dekada, por edhe individë nga një pjesë e biznesit e medias së lidhur me botën e mëkatit korruptiv. Padyshim edhe presioni i përhershëm nga krimi i organizuar një pjesë e të cilit jo vetëm është fuqizuar financiarisht, por edhe politikisht për shkak të lidhjes së interesave midis tyre. Pra është zgjeruar rrethi i njerëzve të prekur, të frikësuar dhe shqetësuar nga drejtësia e re pasi tashmë kanë kuptuar më mirë se çfarë është duke ndodhur me këtë realitet të ri dhe kryesorja me pamundësinë e kontrollit ndaj tyre si dikur. Natyrisht e gjithë kjo rrit presionin mbi sistemin e institucionet e reja të drejtësisë, shton përpjekjet për të deformuar e kontrolluar atë, përmes ndikimit apo edhe krijimit të perceptimit negativ mbi reformën, si dhe institucionet e reja të drejtësisë. Kjo është realisht për t’u vlerësuar e reflektuar nën gjykimin tim.

…por ama ka edhe kritika që shkojnë përtej këtyre target-grupeve që përmendni ju…

Natyrisht, më duhet të pranoj se këtë perceptim apo edhe pritshmëri të paarritura ende, janë ndihmuar edhe nga disa problematika në menaxhimin e procesit të zbatimit të reformës. Gjithashtu, edhe nga një qasje jo fort e shëndetshme nga disa prej drejtuesve të rinj të institucioneve të reja të drejtësisë të cilët kanë veshur kostum të ri, por ama dëshpërimisht kanë reflektuar pak në qasjen e re që duhet të demonstrojnë si pjesë e drejtësisë së re. Kjo është beteja ku duhet të fokusohemi sa më fort. E këtu nuk mjafton të presim .

Rol kyç kanë edhe organizatat e shoqërisë civile apo mediat e pavarura e të shëndetshme, një pjesë e të cilave ka dhënë e mund të japë një kontribut përcaktues në mbrojtjen e vlerave dhe standardeve të procesit të reformimit të drejtësisë së re.

Duke qenë se ju keni artikuluar herë pas here tezën për një analizë të thelluar e gjithëpërfshirëse të reformës, çfarë vlerësimesh rezervoni për institucionet e reja të drejtësisë?

Përtej të gjithave, kam vlerësime pozitive për punën dhe rezultatet e tyre gjatë këtyre dy-tri vjetëve. Jam shumë mbështetës dhe vlerësoj pozitivisht përpjekjet e Këshillave për miratimin e akteve rregullatorë të qeverisjes së sistemit në bazë të kuadrit ligjor në fuqi, punën shumë të mirë të trupës aktuale të Gjykatës së Lartë për unifikimin e praktikës gjyqësore si dhe ritmin e tyre në evadimin e shpejtë të stokut të çështjeve të krijuar në vite pranë saj. Nga ana tjetër, kemi pasur disa rezultate konkrete domethënëse gjatë kësaj periudhe nga SPAK-u në hetimin dhe gjykimin e disa veprave penale të korrupsionit, krimit të organizuar dhe sekuestrimin e pasurive të rrjedhura nga krimi. Gjithashtu, duhen inkurajuar nismat e para të marra nga ILD-ja për të vënë përpara përgjegjësisë administrative gjyqtarë e prokurorë në cenim të etikës dhe zbatimit të ligjit, etj.

…po kritikat?

Po, përtej këtyre vlerësimeve pozitive që ju parashtrova të cilat janë mjaft domethënëse për kohën e shkurtër të funksionimit të tyre, edhe unë si shumica e qytetarëve të këtij vendi kam pasur dhe kam pritshmëri shumë herë më të larta. Padyshim pritshmëritë kryesore janë për vetë institucionet e reja të drejtësisë ku një pjesë e tyre nuk janë ende në ritmin e duhur dhe kryesorja nuk kanë mundur të bëjnë ndryshimin e pritshëm me të djeshmen. Kjo edhe sepse disa prej drejtuesve dhe anëtarëve të këtyre institucioneve nuk kanë arritur të kuptojnë e reflektojnë drejt pritshmëritë e larta të qytetarëve ndaj drejtësisë së re. Në tërësi institucionet e reja të sistemit duhet të bëjnë më shumë dhe më mirë për të demonstruar një qasje të re në ushtrimin e përgjegjësive të tyre sidomos për përgjegjshmërinë, llogaridhënien e transparencën e tyre publike, në respektimin pa kushte të pavarësisë së vendimmarrjes në hetim e gjykim nga magjistratët e veçanërisht prokurorët (përfshi dhe ata të SPAK) dhe kryesorja për më shumë rezultate të prekshme e domethënëse që forcojnë shpresën dhe besimin e publikut për drejtësinë e re

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment