VOA: Qeveria shqiptare e humbi edhe këtë vit shansin për në BE

Në një kronikë dhe analizë të gjatë “Zëri Amerikës” thekson edhe për humbjen e shansit të Shqipërisë për t’u integruar në BE. Ja se çfarë shkruan VOA:
Shqipëria humbet edhe një vit tjetër, pa mundur të bëjë një hap të ri përpara në procesin e integrimit europian. Konflikti i brendshëm, më i skajshëm se kurdoherë më parë, është një pengesë e shtuar përgjatë një rrugëtimi ku dhe zhvillimet në vetë gjirin e BE-së, përfshirë skepticizmin e disa prej vendeve anëtare, nuk ishin në favor.
Konferenca e organizuar në Berlin në 29 Prill, me pjesmarrjen e presidentit francez Emmanuel Macron, I dedikohet Ballkanit, por duke lënë në hije Zgjerimin, një temë jo aq e preferuar në një moment kur vendet anëtare janë nën ethet e zgjedhjeve europiane.
Në fund të Majit, Shqipëria merr vlerësimin pozitiv të Komisionit. “Komisioni i rekomandon Këshillit, hapjen e bisedimeve të anëtarësimit tani, me të dyja vendet, Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut”, bën të ditur KOmisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn.
Por në 18 Qershor, Ministrat e Jashtëm nuk do të dalin me një vendim, duke e shtyrë atë “sa më shpejt që të jetë e mundur dhe jo më vonë se Tetori 2019”
Shtyrja në kohë nuk sjell ndonjë avantazh. Hollanda gjendet në frontin kundër, me parlamentin e shprehur me votë për çështjen. Përpjekjet e Shqipërisë fokusohen te Gjermania. Në parlamentin e saj skepticizmi ndaj Shqipërisë është i dukshëm, përkundër Qeverisë Federale. Në 24 Shtator grupi më i madh parlamentar i CDU/CSU-së miraton një rezolutë me 9 kushte, plotësimi i të cilave është i ndarë në kohë. Teksti miratohet pak ditë më pas nga Bundestagu. Kryeministri Rama flet për një lajm të mirë. Ndërsa për kryetarin demokrat kushtet janë dëshmi e dështimit të Qeverisë.
Franca ndërkohë nuk është shprehur drejtprdrejtë, ndonëse presidenti francez ka dhënë sinjale të qarta, se shqetësimi i tij kryesor janë problemet në vetë gjirin e BE-së. “Vizionin e kësaj reforme, për ndryshimin rrënjësor të BE-së, që ka presidenti i Francës, nuk e ndikon as Gjykata Kushtetuese në Shqipëri, as Refroma zgjedhore. Nuk ka lidhje”, shprehet krye ministri Rama më 2 Tetor.
Por pak ditë më pas, mësohet dhe qëndrimi i Francës, e cila kërkon një rishikim të procesit të zgjerimit. Ministrat e Jashtëm dështojnë të arrjnë në një marrëveshje, duke ja kaluar vendimmarrjen krerëve të shteteve të tyre. “Fjala e fundit nuk është thënë ende”, tha kryeministri Rama në një videomesazh dy ditë para mbledhjes, ndërsa shpresat janë te një përpjekje e fundit e kancerlares Merkel gjatë takimit të saj me presidentin Macron në Tuluz të Francës. Por ky i fundit nuk tërhiqet. Përpjekjet do të vijojnë dhe në Bruksel deri në orët e para të mëngjesit të 18 Tetorit. Por sërish pa rezultat
Pas përfundimit të Këshillit presidenti francez, i cili praktikisht vuri veton, do të shprehet se njeh përparimin e bërë nga të dy vendet, “por se ka ende disa gjëra që duhen zgjidhur”. Kancelarja gjermane do të deklarojë se ndjehet e keqardhur që nuk pati unanimitet, duke theksuar se “Gjermania beson se objektivat e vëna nga Komisioni europian janë arritur”. Për presidentin e Këshillit europian Donald Tusk “të dy vendet kanë të drejtën të nisin bisedimet për anëtarësim që sot. Ato janë gati. Për fat të keq disa vende anëtare nuk janë ende gati”. Ndërsa për kryeministrin italian Giuseppe Conte, mos hapja e bisedimeve me Tiranën dhe Shkupin “është një gabim historik”.
Në Tiranë, interpretimet janë të ndryshme. “Kjo që ka ndodhur është rezultat i mosarritjes së konsensusit mes vendeve anëtare për arsyet e tyre”, vlerëson kryeministri. “Vendi jo vetëm që nuk po qeveriset, por po sundohet, shumë larg standarteve minimale”, deklaron kreu i opozitës.
Vendet anëtare vendosën t’i rikthehen kësaj çështjeje pranverën e ardhshme, përpara samitit të Zagrebit, kushtuar Ballkanit, ndërkohë që Komisioni do të duhet të rishikojë mekanizmat e negociatave, sipas një ideje paraprake që Franca avancon disa javë më vonë. (fragment nga VOA)

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment