VOA: Si do të reduktohen gjykatat me hartën e re gjyqësore

0
57

Në Shqipëri, Dhoma e Avokatisë njoftoi sot se për katër ditë me radhë, duke nisur që nga nesër do të bojkotohen seancat gjyqësore në shenjë proteste ndaj hartës së re gjyqësore të miratuar të premten nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Kryetari i Dhomës së Avokatisë Maksim Haxhia, deklaroi se me hartën e re cenohet rëndë qasja në drejtësi e individëve dhe personave juridik si dhe rriten kostot dhe shpenzimet.

Sipas vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, nga 22 gjykata të shkallës së parë do të mbeten vetëm 13 të tilla, nga 6 gjykata administrative vetëm dy, ndërsa për të gjithë vendin do të funksionojë vetëm një gjykatë Apeli në Tiranë. Këshilli i Lartë deklaron nga ana e tij se “propozimi mbi “Hartën e Re Gjyqësore” është hartuar duke u bazuar në standardet më të mira ndërkombëtare” dhe se “riorganizimi i rretheve gjyqësore krijon një qasje novatore që rrit efiçencën e sistemit gjyqësor për qytetarët, realizon shpërndarjen e drejtë të ngarkesës së punës midis gjykatave dhe gjyqtarëve dhe nxit specializimin, me pasojë reduktimin e kohës së nevojshme për shqyrtimin e një çështjeje e dhënies së një drejtësie më cilësore”.

Reduktimi i fortë i numrit të gjykatave duket se lidhet ngushtë me largimet e ndjeshme të gjyqtarëve nga sistemi për shkak të procesit të vettingut. Afro gjysma e tyre tanimë janë shkarkuar.

Harta e re ju nënshtrua një procesi të gjatë konsultimi. Por zoti Haxhia tha sot se pas vendimit të KLGJ-së, këto konsultime sipas tij duket të kënë qenë false, “pasi sugjerimet e tona nuk janë marrë në konsideratë”.

Shkruaj nje koment