Vokshi/ Që një parti të fitojë ajo duhet të jetë “ekspansioniste” në shoqëri, të mendojë drejt zgjerimit dhe përfshirjes

0
147

Nga Indrit Vokshi

Në 2005, PD nuk fitonte.

LSI e sapo krijuar i hoqi PS-së rreth 10 mandate dhe i dha fitoren PD-së.

Një PD-je e cila kishte një listë figurash interesante për kohën, persona si Bamiri, Sokoli, Spartak Ngjela. Dhe mori afër një grup të madh liberalësh të quajtur KOP si imazh shumë brilant për ta shitur.

Nga ana tjetër shoqata MJAFT ishte pro PD, për të rrëzuar Nanon dhe për t’i hapur rrugën Ramës. Megjithë këto ndërthurje, përsëri rezultati doli gati barazim. U fitua me zor. SB doli ftoi në koalicion të majtën, Paskal Milon, pastaj mori Lufter Xhuvelin.

Sot është tmerr! Sot mungon një nomeklaturë emrash dhe figurash në PD. Shoku Ramiz pati deklaruar për byronë e viteve 1980: U kërkoja të më thonin diçka, të më jepnin mendim ose argument, mirëpo ata heshtnin sepse nuk kishin kapacitet.

Sot mungon një MJAFT, pra një shoqëri civile e angazhuar për rotacion. Sot mungon një çarje e brendshme e PS pasi Rama është munduar dhe ka arritur ta unifikojë “votën e majtë”. Pra nuk ekzistojnë asnjëri prej kushteve favorizuese të vitit 2005. Përkundrazi është shtuar një minus i ri, nëse në 2005 slogani ishte “Duar të pastra” dhe deri diku besohej, sot nuk mundet PD ta deklarojë veten me duar të pastra, ngaqë qesh populli, ngjan komedi.

Po pse PS e cila shtyp popullin, fiton? Fiton organizimi dhe merimanga e interesave e lidhur në mënyrë mjeshtërore. PS nuk merr as “votë shprese”, as “votë ndryshimi”. Merr votë statusquoje, votë për të mbajtur në këmbë këto interesa të ndërtuara tashmë në shoqërinë shqiptare. Janë më të specializuar në fushën e pushtetit, përmes kontrollit, patronazhimit, parasë dhe shantazhit.

A mundet PD të krijojë një “Pakt të Ri” të interesave legjitime të shoqërisë shqiptare? Pakti mund të përfshijë, prej interesin e fshatarit krahinist, deri tek perspektiva për zgjerim biznesor për pesëdhjetë përqindëshin e papërfshirë, modelit tjetër të ekonomisë ku përfitojnë shumë njerëz. Prej këtu, pastaj, deri tek modeli i politikëbërjes dhe të folurit.

Nuk mundet ta krijojë. PD e rikonfirmoi edhe së fundmi se ajo nuk është parti apo konsorsium interesash por është është ciflig i ndërtuar në shërbim të një personi: Sali Berishës. Si kala e Berishës ajo mundet të jetojë për bukuri. Si tempull i një udhujtarie të degraduar, mundet të zgjasë aq sa do zgjasin idhujtarët.

Që një parti të fitojë ajo duhet të jetë “ekspansioniste” në shoqëri, të mendojë drejt zgjerimit dhe përfshirjes.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here