Vrasja e Klodian Rashës, punonjësit e policisë dhanë dëshmi kontradiktore

0
143

Dy efektivët e policisë të përfshirë në ndjekjen që solli më pas vdekjen e Klodian Rashës, i dhanë oficerëve të policisë gjyqësore pranë Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, SHÇBA dëshmi kontradiktore mbi ngjarjen.
Nevaldo Hajdaraj, ndaj të cilit gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë së arrestit me burg me akuzën e “vrasjes në kapërcim të kufijve të nevojshëm të vetëmbrojtjes”, deklaroi se kishte qëlluar ndërsa ishte i rrëzuar në tokë me shënjestër këmbët e viktimës dhe njëherë të dytë në këmbë ndërsa viktima po shkonte drejt një kthese.
Ndërsa kolegu i tij, Erion Gjore ka deklaruar se ka parë një përleshje mes Hajdarajt dhe viktimës dhe se të shtënat i ka dëgjuar gjatë kësaj përplasje fizike.
Dëshmitë janë zbardhur në informacionin për referimin e veprës penale në prokurori të përpiluar nga SHÇBA, një kopje të cilës u sigurua nga BIRN.
Përballja fatale midis viktimës dhe dy oficerëve të policisë ka ndodhur rreth orës 1 të së martës në zonën e njohur si Zogu i Zi në kryeqytet.
Në dëshmitë e tyre punonjësit e policisë pretenduan se janë vënë në ndjekje të viktimës pasi ai nuk i është bindur një urdhri për të ndaluar.
Vrasja e 25-vjeçarit zgjoi zemërim dhe revoltë, ndërsa prej tre ditësh protestues të rinj në moshë janë përplasur me policinë dhe kanë sulmuar institucionet me gurë dhe mjete të forta.
Qindra të rinj protestues janë arrestuar dhe të tjerë po ndiqen penalisht në gjendje të lirë – pjesa dërrmuese në Tiranë por edhe nga disa qytete të tjera të vendit.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dha dorëheqjen të enjten pas protestave mbi ngjarjen, por protestuesit kërkojnë edhe largimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu.
Dy punonjësit e policisë Erion Gjore dhe Nevaldo Hajdaraj – anëtarë të forcës speciale “Shqiponja” kanë treguar se kanë qenë në patrullim në rrugën Dritan Hoxha dhe kanë ndaluar një makinë tip Hyundai që lëvizte nga sheshi ‘Shqiponja’ në drejtim të Zogut të Zi, përpara Bar Al’Gusto, për të bërë verifikimin e autorizimit për lëvizje.
Ndërsa Gjore i është afruar makinës, Hajdaraj ka vënë re viktimën Klodian Rasha, i cili ishte disa metra larg, i mbështetur në një mur tek rrethimi i hotel Dilo. Sipas përshkrimit që Gjore ka dhënë në radio, viktima kishte trup mesatar, i gjatë rreth 170 centimetra, me tuta të zeza dhe xhup gri.
Hajdaraj ka deklaruar se në momentin që viktima ka pikasur policët, ai kë bërë një ‘lëvizje të dyshimtë’ dhe polici i ka bërë thirrje të ndalojë për verifikim.
Në momentin që Hajdaraj i është afruar Rashës, viktima është larguar me vrap dhe është ndjekur nga oficeri i policisë. Hajdaraj pretendon se viktima nxori diçka nga brezi dhe e kërcënoi duke i thënë, ‘mos u afro se do të qëlloj.’ Në këtë moment oficeri ka thërritur ‘armë’ që ta dëgjonte kolegu dhe ka nxjerrë armën e tij të shërbimit nga brezi.
Rasha ka vrapuar drejt rrugicës së Drejtorisë së Doganave i ndjekur nga Hajdaraj, ndërsa kolegu i tij Gjore ka tentuar ti presë rrugën duke u zhvendosur në krahun tjetër pranë bar ‘Oslo’. Për pak minuta të dy oficerët e policisë e kanë ndjekur Rashën në rrugica në drejtime të ndryshme.
Fillimisht viktima është përballur në një distancë 25 metra me oficerin Gjore dhe ai deklaron se ka dëgjuar “një zhurmë të njëjtë si ajo e mbushjes së armës” por nuk ka arritur të dallojë armë zjarri për shkak të errësirës.
Sipas Gjores viktima e ka kërcënuar duke i thënë ‘largohu se të vrava’. Oficeri ka nxjerrë armën e shërbimit nga brezi dhe e ka mbushur dhe sipas tij i ka bërë thirrje viktimës të ndalojë.
Gjore deklaron se Rasha nuk i është bindur thirrjes së tij, është kthyer dhe ka vrapuar në drejtim të rrugës Dritan Hoxha. Rasha ka kapërcyer karrexhatën duke u zhvendosur në trotuarin përballë Universitetit Zoja e Këshillit të Mirë dhe ka vrapuar drejt dyqanit Pit Stop – ku është përballur me oficerin Hajdaraj.
Deri në këtë pikë të rindërtimit të ngjarjes, dëshmitë e oficerëve janë të ngjashme por ato më pas ndahen dhe bëhen kontradiktore.
Erion Gjore thotë se nga një distancë prej 100 metra ka parë Hajdarajn dhe viktimën të përlesheshin dhe ka dëgjuar të shtëna.
“Përplasja mes tyre ndodhi brenda pak sekondave dhe në një moment kam parë kolegun Nevaldo Hajdaraj të shtrirë në tokë dhe në këtë moment kam dëgjuar dy të shtëna arme zjarri,” ka deklaruar Gjore.
Pasi dëgjoi të shtënat, Gjore thotë se i është afruar Hajdarajt dhe e ka ndihmuar të ngrihet dhe të dy bashkë i janë afruar Rashës që ishte i shtrirë përdhe dhe ‘rënkoi.’
Ai thotë se për shkak të errësirës, oficerët nuk kanë dalluar shenja gjaku dhe kanë dyshuar se viktima ishte rrëzuar dhe kishte pësuar dëmtime në kokë.
“Menjëherë kam njoftuar sallën operative dhe kam kërkuar njoftimin e një ambulance,” tha ai.
Ndërsa Hajdaraj thotë se pranë dyqanit Pit Stop ai i është afruar viktimës në një distancë 20-25 metra dhe i ka bërë thirrje të ndalojë. Oficeri i “Shqiponjave’ pretendon në dëshmi se në këtë moment viktima i ka drejtuar “dorën me sendin e dyshuar pistoletë” dhe polici është rrëzuar.
“Në atë çast unë jam rrëzuar në tokë dhe ashtu i shtrirë bëra qitje në drejtim të këmbëve të këtij shtetasi, duke patur frikën se mos më qëllonte,” i ka thënë ai hetuesve.
Sipas Hajdarajt nuk ka patur përleshje me viktimën, por pasi ai është ngritur në këmbë dhe e ka parë viktimën të largohet drejt kthesës ‘ka bërë qitjen e dytë.”
Në referimin e bërë nga SHÇBA për prokurorinë nuk shkruhet se viktima ka qenë i armatosur.
Megjithatë, raporti shton se një armë u gjet nga oficerë të tjerë të policisë në një pellg uji disa dhjetëra metra më larg disa orë pas ngjarjes, e cila është çuar për ekspertim por që nuk ka të dhëna se lidhet me viktimën.
Ekspertiza mjeko-ligjore e përshkruar në raport, saktëson se Rasha është qëlluar në shpinë dhe ky plumb i ka marrë jetën.
SHÇBA shprehet se kamerat e sigurisë të dyqanit përpara të cilit ndodhi vrasja nuk janë arritur të kqyren për shkak të teknologjisë së vjetër. Ndërkohë në raport thuhet se dy oficerët e policisë, Gjore dhe Hajdaraj nuk kishin kamera të supit./BIRN

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here