Xhafaj, përcjell tek krerët PS në rrethe, të dhënat e regjistrimeve për të evidentuar bilancin e votave

Projekti i promovuar me aq bujë prej kryeministrit Rama, për gjoja identifikimin dhe përcaktimin e adresave të sakta të familjeve dhe bizneseve në Shqipëri, duket se nuk ka pasur objekt këtë shërbim, por një “shërbim special” në funksion të skemës elektorale të kupolës së “Rilindjes”. Sipas projektit të “censusit të adresave” të shpikur enkas si “evidencë verifikimi votash” por edhe si qokë financiare me 1.1 miliardë lekë, Ministria e Brendshme hodhi në veprim 1200 regjistrues, të cilët paraqiteshin “derë më derë”, të krekosur me autorizime si punonjës të Ministrisë së Brendshme ekskluzivitet i (ish)ministrit Tahiri, të cilët kërkonin të dhëna mbi adresën e biznesit si objekt, mbi pronarin, vitin e licencimit, të ardhurat e biznesit, numrin dhe moshën e të punësuarave. Po kështu, ata trokisnin në banesa dhe kërkonin adresën e apartamentit, përbërjet, moshat dhe qendrat e punës të familjarëve. E sipas tyre, në rast se nuk i jepnin këto të dhëna, qytetarët dhe pronarët e bizneseve kërcënoheshin me gjoba e burgosje. U tha, se ky proces regjistrimi “me dhunë”, do të përfundonte në datën 31 mars 2017. Nuk e dimë, nëse ka përfunduar ose jo, por një informacion i ardhur në “Telegraf”, na bëri me dije se gjithë deklarimet e qytetarëve dhe të bizneseve, pasi janë ndarë sipas lagjeve nga një “zyrë speciale” në Ministrinë e Brendshme, me urdhër dhe instruktazh të ministrit Fatmir Xhafaj, kanë përfunduar tashmë në duart e kryetarëve të PS të bashkive e Njësive Administrative (ish-komunave). Përse? Sipas informacionit, këto regjistrime adresash e përbërjesh të bizneseve dhe familjeve që kanë bërë “agjentët” e hedhur në veprim nga ish-ministri Tahiri, janë seleksionuar në disa grupe politiko-sociale, për të evidentuar se se është bilanci i pritshëm i votave të 18 qershorit, se cilët duhen aktivizuar, cilët nga bizneset duhen kërcënuar nëpërmjet institucioneve kontrolluese e goditëse të shtetit dhe cilët nga të punësuarit në shtet, duhen kërcënuar me largime nga puna, nëpërmjet drejtuesve të “Rilindjes”. Ndarja është bërë në këto grupe:

 

  1. Emrat e atyre banorëve që janë anëtarë dhe militantë të “Rilindjes”
  2. Emrat e banorëve që janë anëtarë të betuar të partive kundërshtare
  3. Emrat e banorëve që kanë qenë anëtarë e militantë të PS, por që janë bërë kundërshtarë të saj, por jo anëtarë të partive kundërshtare.
  4. Emrat banorëve që janë të lëkundur e indiferentë.
  5. Emrat e atyre që punojnë në institucionet shtetërore, të specifikuar sipas sektorëve përkatës
  6. Emrat e pronarëve të bizneseve që janë votues dhe mbështetës të “rilindjes”
  7. Emrat e pronarëve të bizneseve që janë mbështetës të PD dhe partive të opozitës

 

Një kopje këtyre listave, pritet t’u jepet edhe 5000 administratorëve të pallateve në Tiranë dhe kryepleqve përfaqësues të “Rilindjes” e po kështu institucioneve shtetërore për të bërë bilancet e votave “Pro-Kundër”, me urdhrin për të nisur veprimtarinë “bindëse” e joshëse ndaj tyre dhe familjarëve të tyre.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment