Zelensky: Evropa veproi shumë vonë për të ndalur pushtimin rus

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka bërë një video-adresim në samitin e Këshillit Evropian në Bruksel. Ai ka theksuar shkatërrimin dhe dëmet që ka shkaktuar pushtimi rus në shtetin e tij, dhe ka falënderuar Evropën që është bashkuar në mbështetje të Ukrainës.

Më pas, ai u ka thënë hapur liderëve evropianë se kanë vepruar shumë vonë për të ndalur Rusinë.

Ju keni vënë sanksione. Ne u jemi mirënjohës. Ata janë hapa të fuqishëm. Mirëpo ka qenë pak vonë… ka pasur mundësi”, ka thënë ai, duke shtuar se nëse do të kishte sanksione parandaluese, ndoshta Rusia nuk do të niste luftën.

Ai ka përmendur edhe projektin e gazsjellësit, Rrjedha Veriore 2, duke thënë se nëse do të bllokohej më herët, “Rusia nuk do të krijonte krizë të gazit”.

Ndër të tjera ai vlerësoi shumë vende për qëndrimin me Ukrainën, duke përfshirë Poloninë, Estoninë, Republikën Çeke dhe Italinë.

“Emmanuel,” tha ai, duke iu drejtuar liderit të Francës Macron me emrin e tij të parë. “Unë vërtet besoj se ju do të qëndroni për ne”.

Duke iu drejtuar Suedisë, ai iu referua ngjyrave të ngjashme të flamurit të tyre. “E verdha dhe bluja duhet të qëndrojnë gjithmonë së bashku.

Por ai gjithashtu veçoi disa kombe për vonesë ose hezitim për të marrë masa, Gjermaninë, Portugalinë dhe Irlandën – dhe më pas kritikoi Hungarinë për qëndrimin e saj neutral.

Dua të ndalem këtu dhe të jem i sinqertë. Një herë e përgjithmonë. Ju duhet të vendosni vetë me kë jeni,” tha ai.

Zelensky më pas i bëri thirrje Hungarisë që të ndalojë hezitimin për sanksionet dhe lejimin e armëve, duke iu referuar memorialit të famshëm Këpucët në Bregun e Danubit në Budapest – një monument për viktimat e masakrave nga forcat fashiste, pro-naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Shikoni ato këpucë. Dhe do të shihni se si vrasjet masive mund të ndodhin përsëri në botën e sotme. Dhe kjo është ajo që Rusia po bën sot,” tha Zelensky.

Zeleksny u ka bërë thirrje liderëve të bllokut evropian që të mos vonohen në shqyrtimin e kërkesës së Ukrainës për t’u bërë pjesë e bllokut evropian.

Në javët e fundit, Zelensky ka bërë disa fjalime para parlamenteve nëpër botë dhe nuk është frikësuar për të kritikuar Perëndimin për atë që e konsideron dështim për të ofruar më shumë mbështetje.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment