Zeqo i Fierit, kapet me 3 kg heroinë në Kakavije, reziston duke permendur emra politikanësh socialistë

Një sasi prej 3 kg heroinë, është kapur nga forcat policore të Kakavijes mesditën e të enjtes. Endrit Zeqo 34 vjec, poseduesi i saj, është arrestuar menjëherë. Sipas burimeve zyrtare, ngjarja është shënuar në vijën e dytë kufitare në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijes kur Zeqo, ishte duke kaluar për në Greqi, me mjetin e tij tip Mercedez-Benz me targa AA239OZ. Zeqo ka qenë i vetëm në automjet i pashoqëruar nga ndonjë person tjetër. Ai pasi është dukur në Kakavije në pikën e kontrollit të pasaportave, ka kaluar në vijën e dytë kufitare ku ushtrohet kontroll i imtësishëm tek ato automjete që shfaqin dyshime. Një prej tyre ishte dhe mjeti i fierakut Zeqo. Punonjësit e Policisë në Karantinën e kontrollit të mjeteve, kanë insistuar në kontrollin e automjetit të Zeqos por ky i fundit ka penguar për gati 20 minuta, ushtrimin e këtij kontrolli në mjetin e tij me justifikimin se mjeti është i pastër dhe në një rast të tillë, duhet një mandat nga prokuroria. Pengesa e Zeqos, ka qenë shumë energjike aq saqë në një moment policët kontrollorë duket se ju dorëzuan presionit të tij, pasi Zeqo, ka përmendur disa emra të fortë politikanësh me pozitë në Fier madje duke bërë edhe telefonata në sy të policëve. Më pas, kontrollorët, kanë marrë mjetin duke i bërë hyrje në karantinë dhe më pas vijuan me kontrollin e imët në të gjitha pjesët e tij. Gjatë kontrollit të ushtruar në zona të ndryshme të automjetit, u zbulua sasia narkotike në një vend të përshtatur poshtë kroskotit. Brenda tij u gjetën disa pako të dyshimta të cilat pasi u hapën, kishin heroinë të pastër. Grupi hetimor, konstatoi gjashtë pako me nga 500 gram secila në total 3 kg. Këto të fundit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale ndërkohë që 34 vjecari Zeqo, u arrestua për veprën penale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. 34 vjecari fierak, është dërguar në kryeqytet, pasi cështja i ka kaluar për shqyrtim, Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Vetë Zeqo, në momentin e zbulimit të sasisë narkotike, ka mohuar të ketë pasur dijeni për të dhe ka kërkuar prezencën e avokatit për ngjarjen në fjalë. Sipas specialistëve të antidrogës, lënda narkotike e llojit heroinë e kapur në mjetin e Zeqos, në tregun grek, kap një vlerë gati 18.300 euro. Ditët e fundit nga Kakavija, drejt Greqisë, janë shënuar disa raste të trafikut të lëndëve narkotike kryesisht marijuanë. Policia greke vetëm këtë vit nga Kakavija, ka kapur mbi 2 ton marijuanë ndërsa kontrollorët shqiptarë, diku tek 200 kg në total.

 

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment