Zonjë apo shoqe?/ Fjala e shokut Edi në kongresin socialist duhet analizuar.

0
155

Nga Indrit Vokshi

Zonjë apo shoqe?

Fjala e shokut Edi në kongresin socialist duhet analizuar.

Ai u kthye tek rrënjët e partisë së vet. U kërkoi grave socialiste të mos drejtohen më me “Të dashur zonja e zotërinj”. Tha me qortim: “Çështë kjo zonja e zotërinj në një kongres grash socialiste..”. Pra – u tha – “të dashura shoqe”. U shau burrat dhe ua paraqiti ata si kundërshtarë.

Prej sot shpaloset haptas e zyrtarisht në shoqërinë shqiptare ideologjizimi socialist, ku gruas synohet t’i hiqet titulli zonjë e t’i rijepet titulli shoqe.

Zonja i përket familes, thuhet “Zonja e Shpisë”, kurse shoqja i përket partisë, sepse nuk ekziston kund “Shoqja e shpisë” por vetëm “Shoqja e partisë”. Kjo sepse me shoqe, nuk ekzistojnë familja e shpia por vetëm kolektivi e partia.

Duke ua paraqitur grave burrat si armiq, si pengesë për lumturinë e tyre dhe duke ua paraqitur organizatën socialiste si realizuese të lumturisë së tyre, Edi Rama, synon mashtrimin e grave dhe aplikimin e teorisë socialiste ku gruaja nuk i përket shpisë por partisë – nuk duhet të jetë në harmoni me burrin e shpisë por me burrin e partisë.

Ne jemi shqiptarë! Gruan kemi qejf me e pa zonjë e jo shoqe, kemi qejf t’i përkasë shpisë e jo partisë. Kemi qejf me e pa të bukur e të shkolluar, të pasur të mbajtur e në harmoni me burrin e me rrethin familjar. Kemi qejf me e pa zonjë sepse zonjat kanë lindur e rritur burra për për vendin, për luftë e për kuvend, kurse shoqet zakonisht lindin vulgaritet.

Kemi qejf me e pa zonjë krenare për burrin e vet e për djemt e vet burra, jo në një antagonizëm me burrat.

Siç burri duhet të jetë zotni e jo shok, se zotnia ka lidhje me Zotin dhe është mëkëmbës e përcjellës i mëshirës e i zemërgjerësisë së Tij, ndërsa shoku ka lidhje me shoqninë e me gjithë mllefin, smirën, vesin e llumhanen që përfaqëson shoqnia.. edhe gruaja duhet zonjë e jo shoqe.

Shqipëria nuk mund të futet më në errësirën dhe degjenerimin që prodhon slogani “Shokë e shoqe” por duhet të ecë me rrugën e dinjitetit, mëkëmbjes, normalitetit dhe të mbarës së Zotit me “Zonja e Zotnij”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here